Një njësi ushtarake ruse ka kryer sulme kibernetike ndaj aleatëve të Ukrainës, në përpjekje për të penguar ndihmat ndaj kundërshtarit të saj. Që pas fillimit të pushtimit të Ukrainë në Shkurt të vitit 2022 vendet e BE-së dhe më gjerë ndjehen të kërcënuara nga prania e hakerave rusë të cilët synojnë agjenci të larta qeveritare.
Kohët e fundit sipas informacioneve të bëra të ditura nga mediat e huaja ka një prani dhe një rrezik më të shtuar për sulme kibernetike.
“Fokusi në atë kohë ishte i gjithi me atë që ata po përpiqeshin t’i bënin Ukrainës. Ajo që bënë të qartë njoftimet e fundit është se objektivat tashmë ishin shumë më të gjerë se kaq. Ata po flasin për një sërë agjencish të ndryshme qeveritare dhe civile, agjenci të shoqërisë civile në të gjithë Evropën Perëndimore dhe në gjithë BE-në apo NATO-n,” tha për BBC Keir Giles, ekspert për aktivitetet kibernetike.
Agjencitë e inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve dhe disa vendeve të tjera në një konferencë të përbashkët thanë se sulmet para dhe pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës janë kryer nga i njëjti grup. Sipas tyre hakerët ishin përgjegjës për fushatën ËhisperGate, i cili ishte një sulm i koordinuar ndaj agjencive qeveritare të Ukrainës në Janar të vitit 2022, dhe që atëherë është fokusuar në përpjekjet për të zbuluar dhe ndërprerë dërgesat e ndihmave në Kiev.
“Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm se këto gjëra do të jenë në vazhdimësi dhe se Rusia po na sulmon. Ajo që është veçanërisht e theksuar për momentin për aktivitete kibernetike të Rusisë është mënyra se si ato duken si përgatitje për një sulm të hapur ndaj NATO-s, veçanërisht me zbulimin dhe përgatitjen për sabotim të lidhjeve logjistike, rrjeteve hekurudhore e kështu me radhë në të gjithë Evropën,” paralajmëroi më tej eksperti, Keir Giles.
Sulmet kibernetike ruse kanë vënë në shënjestër agjencitë qeveritare, kompanitë private të përfshira në financa, transport, energji dhe shëndetësi në një numat vendesh anëtare të BE-së NATO-s si dhe Azisë apo Amerikës Latine./tvklan.al