Sfidë të sigurisë në Europë dhe thyerje të ligjit ndërkombëtar e konsideron Kryeministri Edi Rama sulmin ushtarak që Rusia ka ndërmarrë ndaj Ukrainës.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, Rama tha: “Është një zhvillim që ka sfiduar të gjithë arkitekturën e sigurisë në Europë, ka sfiduar edhe ngrehinën institucionale të politikës ndërkombëtare duke goditur themelin e saj, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”.
Sa i përket ndikimit që lufta Rusi-Ukrainë mund të ketë mbi vendin tonë, Kryeministri tha se nuk është aq i madh sa disa shtete të tjera.
“Implikimet e kësaj lufte mbi Shqipërinë, që ndryshe nga shumë vende të tjera të NATO, nuk ka varësira të konsiderueshme të natyrës ekonomike apo tregtare me Rusinë, por sidoqoftë nuk është krejt pa lidhje të kësaj natyre qoftë me Rusinë qoftë me Ukrainën që shpresojmë të kthehet në një normalitet por që faktikisht është shumë larg sot”. /tvklan.al