Shkon në 16 numri i të arrestuarve

Ka shkuar në 16 numri i personave të arrestuar në lidhje me sulmin terrorist në Vjenë. Pas 14 personave të arrestuar në disa qytete në Austri, është mundësuar arrestimi i 2 personave të tjerë në Zvicër. Policia tha se 2 të arrestuarit janë miq të Kujtim Fejzullait, terroristit nga Maqedonia e Veriut që vrau 4 persona të hënën.

Bëhet fjalë për një 18-vjeçar dhe një 24-vjeçar, të dy me nënshtetësi zviceriane. Ata janë vënë në pranga për shkak të lidhjes me autorin e ngjarjes. Ministrja e Drejtësisë në Zvicër, Karin Keller-Sutter, tha se të rinjtë ishin shokë me 20-vjeçarin Fejzullai. Ajo shtoi se ata janë takuar me terroristin, por pa e specifikuar se kur.

“Shkalla se deri në çfarë faze ishte lidhja mes dy personave të arrestuar dhe autorit të ngjarjes është subjekt i hetimeve dhe do të sqarohet nga autoritetet”, tha policia pas arrestimit.

14 persona janë arrestuar në Austri si bashkëpunëtorë të sulmit terrorist në Vjenë, për të cilën ISIS ka marrë përgjegjësinë. Fejzullai, i cili u vra nga policia, përpara aktit i shpallte besnikëri në rrjetet sociale Shtetit Islamik.

20-vjeçari ishte dënuar me burg në Prill të vit të kaluar si pjesë e një grupi që donte të shkonte të luftonte në Siri, megjithatë ai u lirua në Dhjetor. /tvklan.al