Të dyshuarit të moshave 16-25 vjeç
Mediat austriake kanë publikuar të tjera detaje rreth sulmit terrorist që ndodhi mbrëmjen e së hënës në Vjenë. Autoritetet policore kanë njoftuar se kanë nxjerrë 12 urdhërarreste, të cilët dyshohen se kanë lidhje me Kujtim F., terroristin që u ekzekutua nga policia.
Ky i fundit është një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë njëkohësisht dhe këtë gjë e konfirmoi gjatë paradites Ministri austriak i Punëve të Brendshme.
Sipas medias austriake, Kronen, 20-vjeçari ka lindur në Austri. Në adoleshencë ai ka qenë një futbollist i talentuar. Sipas gazetës Falter, pak para ngjarjes ai ka vizituar një qendër tregtare në një zonë të njohur, por është e paqartë nëse ka qenë vetëm.
Kujtim F., dyshohet se është radikalizuar nga ISIS. Gjatë adoleshencës, ai ka studiuar për islam dhe vizitonte rregullisht një xhami.
I riu nuk ka qenë i panjohur për autoritetet austriake pasi ka qenë i dënuar me disa muaj burg për shkak se donte të udhëtonte në Siri në 2019-n.
Ai vuajti vetëm 7 muaj e gjysmë heqje për pjesëmarrje në organizatë terroriste. Policia nuk besonte se ai mund të kryente akte terroriste. Dyshohet se 20-vjeçari e ka marrë armën e krimit, një kallashnikov, në Sllovaki.
Kjo pasi ai ka udhëtuar atje me makinën e nënës së një shtetasi kosovar. Ky i fundit dyshohet se është një prej kontakteve të terroristit prandaj edhe është arrestuar. Të dyshuarit e tjerë janë nga Bangladeshi, Çeçenia, dhe Austria. Moshat e tyre variojnë nga 16-25 vjeç. Sipas mediave, ata jetojnë në Vjenë dhe St. Polten.
Katër civilë mbetën të vdekur si pasojë e aktit terrorist të hënën. Kujtim F., u vra nga autoritetet e policisë.
17 persona janë plagosur, 7 prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se viktimat janë një grua, një burrë i moshuar, një djalë i ri që po kalonte rrugën dhe një kamarier. Sulmi ndodhi në një qendër të populluar./tvklan.al