Mjekët e spitalit të Vlorës kanë zhvilluar protestën e paralajmëruar sensibilizuese në përkrahje të kolegut të tyre neurolog, Kosta Koçi, i cili dy ditë më parë ra viktimë e një sulmi me thikë.
Ata kanë dënuar aktet e dhunës ndaj bluzave të bardha duke kërkuar mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe komunitetit.
Hapi i radhës mund të jetë pezullimi i të gjitha shërbimeve mjekësore në këtë spital.
Agim Petalla: “Shpreh indinjatën për këto akte që shkelin normat, shkelin etikën mjek-pacient, shkelin qytetarinë.”
Luter Nuraj: “Nuk është rasti i parë që ndodh. Këtu e kanë si në qejf, të ndjejnë kënaqësin kur vijnë sjellin të sëmurin, do thyejnë xhama, do kërcënojnë. Po të ulemi mirë t’i analizojmë ndoshta edhe në punë nuk duhet ardhur”.
Mjeku Koçi është dërguar në Tiranë në gjendje kome, ndërsa nuk jepet garanci për jetën e tij.
Fatmir Brahimi: “Sot ka filluar të rëndohet, kjo për shkak të komplikacioneve që kanë dhënë dhe goditjet dhe vetë operacioni që është nënshtruar. Me siguri për jetën e tij nuk mund të thuash sepse dihet që këto lloj ndërhyrjesh janë ndërhyrje të rënda, goditjet janë të shumta, goditjet janë si të thuash me rreziqe të mëdha”.
Neurologu u sulmua nga një person ende i panjohur. Për kapjen e tij policia ka vënë një shpërblim prej 300 mijë lekësh./tvklan.al