Ministri i Brendshëm i Sllovakisë ka thënë se personi që dyshohet se ka tentuar të vrasë kryeministrin Robert Fico mund të mos ketë “punuar” i vetëm. Ministri Matus Sutaj Estok u shpreh për gazetarët se një ekip po heton mundësinë që sulmi i të mërkurës të mos jetë kryer një një “ujk i vetmuar”, siç besohej më parë.

Ai tha se kjo ishte bazuar në informacionet nga shërbimet e inteligjencës, duke përfshirë atë që dy orë pas sulmit, dhe pasi i dyshuari ishte arrestuar, historia e tij në Facebook dhe komunikimi ishte fshirë. Një ditë pas atentatit në tentativë, Estok ka thënë në një konferencë shtypi se i dyshuari kishte vepruar i vetëm dhe më parë kishte marrë pjesë në protesta antiqeveritare.

Të shtunën, i akuzuari për vrasje në tentativë u la në paraburgim deri në gjykim. Sulmuesi i dyshuar nuk është identifikuar zyrtarisht, por raportet sllovake e kanë njohur gjerësisht si Juraj Cintula, 71-vjeçar nga qyteti Levice. Mediat vendase e kanë cilësuar si një poet amator që ka qenë i përfshirë në organizata politike me ideologji të ndryshme.

Ndërkohë, zëvendësi i kryeministrit sllovak ka konfirmuar të dielën se jeta e Ficos nuk është më në rrezik pas orëve të operacionit, por 59-vjeçari ende kërkon kujdes intensiv. Kalinak u tha gazetarëve gjendja e tij ende kërkon kujdes intensiv, por shtoi se më e keqja kishte kaluar./tvklan.al