Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit” është kapur 1 person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe një tjetër i shpallur në kërkim kombëtar.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, kapi dhe ndaloi 45-vjeçarin Ermal Nonaj alias Marvi Nonaj, banues në Elbasan.
Gjykata e Apelit Torino, me vendimin e datës 11 Mars 2021, e ka dënuar atë me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Vijojnë procedurat për ekstradimin e 45-vjeçarit në Itali.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan 41-vjeçarin me iniciale A. Gj., banues në Elbasan, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 4 Maj 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
41-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin Xh. Gj., më datë 1 Shtator 2023, ka vjedhur në biznesin e një shtetaseje, kasafortën brenda së cilës ka patur 60 000 Lekë dhe 500 Euro. Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Vlorë./tvklan.al