13 persona u vunë në pranga ndërsa 5 të tjerë u proceduan si pasojë e një aksioni të policisë në Elbasan ndaj një ‘call center’-i ku ushtrohej veprimtari e paligjshme.

Policia thotë se këta persona mashtronin shtetas të huaj, kryesisht italianë, për të investuar në bursa fiktive. Në lidhje me ngjarjen është shpallur në kërkim edhe administratori i ‘call center-it’.

“Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. Ç., 29 vjeç, B. F., 46 vjeçe, Sh. I., 31 vjeçe, A. K., 32 vjeçe, E. L., 33 vjeçe, F. P., 36 vjeçe, G. K., 23 vjeçe, R. L., 31 vjeçe, G. K., 29 vjeç, D. H., 38 vjeçe, S. D., 30 vjeç, A. K., 30 vjeçe, A. C., 24 vjeç, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim; nisi procedimi penal për shtetasit: J. L., D. Ç., M. L., Dh. Z., dhe L. T., për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi G. D., 45 vjeç, administratori i subjektit, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, njoftoi policia.

Gjatë operacionit “Fictitious” u sekuestruan 70 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 33 celularë dhe 1 DVR. Sipas policisë, këta persona telefononin të huaj, kryesisht italianë. Atyre iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit i bindnin që të investonin në bursën fiktive Forex./tvklan.al