Nuk prodhoi fitues sfida mes Elbasanit dhe Skënderbeut, e vlefshme për javën e 10-të, e cila u mbyll në barazim 1-1.
Në “Elbasan Arena”, ishte një ndeshje spektakolare nga të dyja ekipet, që kishte gjithçka brenda, përveç fituesit.
Korçarët kaluan të parët në avantazh, falë një supergoli të shënuar nga Ermir Rashica në minutën e 29-të. Sulmuesi, pas një lëvizje të bukur, kaloi dy kundërshtarë dhe me një gjuajtje të fortë e ndali topin në fund të rrjetës.
Në minutën e 43-të, ekuilibrat në fushë u prishën, për shkak se Prençi u ndëshkua me karton të kuq dhe la bardhekuqtë me 10 lojtarë.
Elbasani përfitoi nga kjo dhe u hodh në sulm, duke barazuar shifrat me Ze Gomes në minutën e 45-të, pas një goli të shënuar më kokë.
Rastet nuk munguan as në pjesën e dytë, ku vendasit tentuan disa herë, por portieri Marco Alia ishte i pakalueshëm, me pritje spektakolare dhe vendimtare.
Bismark kishte një mundësi të artë, por i vetëm me portierin nuk shënoi dot. Për Elbasanin, ky është barazimi i tretë radhazi dhe mban vendin e katërt me 15 pikë, ndërsa Skënderbeu renditet i teti me 11 pikë. /tvklan.al