Jennifer Aniston dhe Jimmy Kimmel i bënë një surprizë të këndshme infermieres Kimball Fairbanks, e cila rezultoi e infektuar me koronavirus. Ajo punon në pavionin e sëmundjeve kardiovaskulare, por së fundmi është fokusuar te pacientët me Covid-19.
Gjatë intervistës së saj me Kimmel, Fairbanks u shpreh: “Duhet të qëndroj për 2 javë larg familjes dhe dy vajzave të mia, 4 vjeç dhe 18 muajshe. Në fillim ndihesha sikur më kishte goditur treni, por gjithsesi mendoj se janë simptoma të buta. Në përgjithësi duket e menaxhueshme”.
Por ndërkohë që infermierja po shpjegonte situatën e saj të shkaktuar nga Covid-19, ndërhyri Jennifer Aniston duke e falenderuar për punën që ka bërë.
“Më duhet të them, Zoti të bekoftë ty dhe të gjithë ata që po bëjnë atë që po bën ti. Nuk di si ta shpreh mirënjohjen për gjithçka që po bëni dhe që po vendosni jetën tuaj në rrezik. Jeni thjesht fenomenalë!”, u shpreh aktorja.
Duke marrë shkas nga gjendja shëndetësore e Fairbanks, Jennifer Aniston i dhuroi 10,000 dollarë për t’i shpenzuar në ushqime, të cilat do t’i vinë në shtëpi nga një kompani që ofron shërbimin e dërgesës së produkteve ushqimore në shtëpi./tvklan.al