Situatës aktuale të hetimeve për grupin e Habilajve, lidhjeve të tyre me politikën dhe akuzat e opozitës i ka kushtuar një hapësirë të veçantë  emisioni ‘Estovest’ i televizionit italian Rai 3. Ata konstatojnë se në Shqipëri nuk flitet për asnjë gjë tjetër veçse për marijuanë, arrestimin e kushërinjve të ish-ministrit të Brendshëm nga prokuroria e Katanias dhe lidhjet e dyshuara me Sajmir Tahirin që sollën edhe përjashtimin e tij nga grupi parlamentar socialist. Paralajmërimin më të fortë për fqinjët italianë e jep ish-kryeministri Sali Berisha.

“Një gjë dua të nënvizoj për miqtë tanë italianë, duhet të jenë të përgatitur sepse janë dhjetëra tonelata drogë në tunele. Qarkullim masiv i narkoparave dhe  bandave kriminale është evidente në të gjithë vendin, duke e kthyer Shqipërinë në një narkoshtet”.

Por zv/ministri i brendshëm, Julian Hodaj flet për shifra të pakrahasushme të asgjesimit të marijuanës në raport me disa vite më parë.

“Janë zbuluar dhe asgjesuar nga plolicia rreth 55 mijë rrënjë kanabis, shifër që krahasuar me vitet e kaluara është inkurajuese”.

Në reportazh publikohen edhe pamjet e një ferme kanabisi të zbuluar në Durrës dhe të një tuneli ku ishin magazinuar tonelata drogë, me komentin se ndoshta Europa duhet të përgatitet për një ‘shpërthim’ të paprecedentë të marijunës shqiptare.

Tv Klan