Brenda presidencës çeke, e cila merr kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian në Janar të vitit 2009, Shqipëria do të aplikojë për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. 

Edhe pse nuk është pohuar zyrtarisht, lajmi është lënë të kuptohet qartë nga kryeministri Berisha gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviç,i cili po viziton Tiranën.

Sali Berisha: “Një gjë është e sigurt që ato raporte të Brukselit, të cilat në asnjë lloj rrethane nuk mund të jenë folklor ballkanik. Ka një vlerësim objektiv dhe i lanë dyert plotësisht të hapura për paraqitjen në kohën e duhur të kërkesës për statusin e kandidatit. A do jetë Janari apo do jetë muaji tjetër, por në fakt viti që vjen mesa duket do të jetë në rast se nuk u bëmë të ndjeshëm gjatë gjashtëmujorit të presidencës franceze natyrisht do të konsiderojmë shumë seriozisht vitin e ardhshëm”.

Kryeministri i Malit të Zi pohoi se janë duke negociuar me Francën, e cila aktualisht kryeson Bashkimin Evropian për të aplikuar brenda presidencës së këtij shteti.

Megjithatë Gjukanoviç pranoi se duhet një plan i koordinuar nga ana e vendeve ballkanike që aspirojnë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Milo Djukanoviç: “Plani ynë është që të aplikojmë për t’u bërë vend kandidat brenda presidencës franceze, por kjo nuk do të thotë se mund ta arrijmë këtë gjatë këtyre dy muajve. Ne jemi në negociata me presidentin francez, megjithatë çdo hap duhet të jetë i koordinuar dhe mes vendeve tona pasi është një proces ballkanik.”

Dy kryeministrat pasi kanë vlerësuar bashkëpunimin e mirë dypalësh mes dy vendeve tona, që në këndvështrimin e homologëve do të intensifikohet, kanë bërë dhe komentet e tyre për planin 6-pikësh të Ban Ki-Moon-it për Kosovën.

Për kryeministrin e Malit të Zi, shtet i cili muajin e kaluar njohu pavarësinë e Kosovës, plani i Ban Ki-Moon sjell regres dhe e kthen atë pas në kohë, ndërsa ka pohuar se mund të sjellë dhe destabilitet në rajon.

Milo Djukanoviç: “Ky plan të jep përshtypjen sikur na kthen pas në vitet ’90. Për mua ky plan është i varrosur. Ai mund të ketë efekte zinxhir në stabilitetin e rajonit. Shpresoj që këta njerëz të mençur të mos lejojnë të ndodhë një kthim në kohë dhe të aplikojnë një plan, i cili të marrë pëlqimin e të dyja palëve.

Sali Berisha: “Plani me gjashtë pika paraqet disa probleme shumë serioze. Gjykoj se është e domosdoshme që projektet duhet të konsultohen pak më gjerë dhe me faktorët lokalë sepse aktet e destabilizimit kanë koston lokale më të lartë”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka