Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Marrëdhëniet me Kosovën, OSBE, Bashkimin Europian, NATO, dhe SHBA, janë përcaktuar sot si prioritet e politikës së jashtme shqiptare, në takimin e përvitshëm me titullarët e përfaqësive tona diplomatike kudo në botë.

Ambasadorëve tanë përveç ndjekjes koherente të politikës së shtetit shqiptar, iu është kërkuar të ndikojnë në të gjitha vendet ku ushtrojnë detyrën për heqjen e regjimit të vizave, nënshkrimin e marrëveshjeve të punësimit sezonal, vazhdimin e procesit të legalizimit të emigrantëve shqiptarë dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Nga ambasadorët tanë është kërkuar të punohet më shumë për njohjen e procedurave të zbatimit të Paktit të Stabilitetit, si dhe koordinimin e punës për evidentimin e ndihmave.  

Për vitin e ardhshëm krerët e Ministrisë së Jashtme kanë kërkuar të punohet për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik, sigurimin e mbështetjes politike amerikane në procesin e integrimit euroatlantik dhe rritjen e kontributit amerikan në këtë kontekst. Nesër ambasadorët tanë në të gjithë vendet e botës do të takohen me presidentin dhe kryeministrin./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego