Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës do të intensifikojnë bashkëpunimin, veçanërisht në fushën legjislative, një çështje mbi të cilën u diskutua gjatë takimit që, kryeparlamentarja Jozefina Topalli zhvilloi me një grup deputetësh nga Kosova përfaqësues të Komisionit të Ligjeve.
Delegacioni parlamentar i Kosovës shprehu interes për marrjen e përvojës nga Kuvendi i Shqipërisë në hartimin e legjislacionit bazë, por në mënyrë të veçantë për përafrimin e ligjeve të brendshme me legjislacionin evropian.
Kryeparlamentarja Topalli dha garanci për mbështetje dhe ofrim përvoje në këtë drejtim. Duke folur mbi agjendën parlamentare kryetarja e kuvendit tha se rreth 150 ligje të miratuara në këtë fillim legjislature janë pjesë e rëndësishme jo vetëm e plotësimit të detyrimeve për heqjen e vizave dhe përafrimit me Bashkimin Evropian, por edhe bazë e reformave të mëdha ligjore dhe ekonomike.
Deputetët e kuvendit të Kosovës u pritën në takim dhe nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Zoti Nishani foli në takim për gjithë legjislacionin e miratuar në fushën e drejtësisë.
Ai tha se pavarësisht mungesës së opozitës në Kuvend, Ministria e Drejtësisë është angazhuar të vërë në dispozicion të vazhdueshëm të opozitës informacion mbi ligjet e miratuara.
Ministri i Drejtësisë, Nishani tha se po punohet për një strategji mbi reformën në drejtësi, hartimi i së cilës sikundër tha do të përfshijë në një debat të gjerë të gjithë grupet e interesit.
Zoti Nishani garantoi se Ministria e Drejtësisë së Kosovës do të gjejë tek institucioni që drejton një partner të besueshëm për bashkëpunim të mëtejshëm.
Pasi falënderuan ministrin Nishani për gatishmërinë deputetët nga Kosova u shprehën të gatshëm të përfitojnë nga Shqipëria praktikën më të mirë në hartimin e legjislacionit në një kohë kur vendi po krijon një infrastrukturë të re ligjore./tvklan.al