Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Rendit Igli Toska ka përsëritur sërish domosdoshmërinë e reformës në polici, duke përmendur dhe rastin e Gjermanisë, ku 70% e policisë doli në pension, për shkak të reformës. Këto cilësi Toska i bëri gjatë një takimi të përfaqësuesve të misioneve të huaja në ndihmë të policisë dhe drejtësisë shqiptare.

Igli Toska:- “Paratë e vjetra në drejtori, nuk duhet të kenë vlerë qarkullimi, ose ashtu siç thonë anglezët, është e pamundur të mësosh gjyshe Sellin të hajë buding. U lutem sidomos profesionistëve të shkollës, së vjetër të bëhen më modest dhe të rikthehen edhe   ata student. As në Europë dhe as në SHBA, policia dhe policimi nuk janë më ato të 10 viteve më parë. Krimi nuk luftohet me kuaj fuqi, por me neurone”.

Duke folur për organizimin e policisë, Toska ka paralajmëruar dhe një plan të veçantë masash për mitingun që do të mbahet në datën 21 Shkurt, ku ka paralajmëruar se zbatimi i ligjit është domosdoshmëri për policinë, për më tej dhe për organizatorët e protestës.

Igli Toska:- “Policia ka marrë të gjitha masat taktiko-operacionale, për ta menaxhuar këtë tubim. Ne jemi nën monitorim të qytetarë protestues, të medias dhe të partnerëve ndërkombëtar, do të jetë një test për profesionalizmin e forcave policore, por dhe të sjellës demokratike të organizatorëve dhe protestuesve. Çdo akti dhune do t’i përgjigjemi me forcën e ligjit, të përshkallëzuar edhe minimalisht të domosdoshme”.

Më tej Ministri i Rendit ka deklaruar se lufta kundër krimit të organizuar tashmë do të bëhet edhe më e egër, pasi po përgatitet goditjet ekonomike ndaj tij me bllokimin e pasurive dhe aseteve. Për këtë Toska ka deklaruar se më shumë se më shumë se polic në radhët e policisë së shtetit duhen dhe ekonomistë, juristë dhe ekspert teknik.

Ndërsa kryeprokurori Theodhori Sollaku ka deklaruar, se pavarësia e dhënë për drejtësinë shqiptare nuk vlen aspak nëse nuk shoqërohet me vullnet të mirë dhe financime materiale për prokurorinë, këto nga shteti ose donatorë ndërkombëtar.

Theodhori Sollaku:- “Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të bëjë asgjë nëse ai mbështet në projekte, nuk mbështetet në mjete financiare, nuk mbështetet në vullnete për të përmirësuar legjislacionin në të cilën ajo ka rënë. Neve kemi shumë nevojë për trajnimet e prokurorëve”.

Ambasadori amerikan ka shprehur edhe njëherë mbështetjen edhe vlerësimin, për punën e rendit dhe drejtësisë shqiptare.

“Jo vetëm SHBA, por edhe misionet europiane janë të gatshme të ndihmojnë me projektet e duhura”, ka shprehur ambasadori Jeffery./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj