Takimi mes kryediplomatëve të Uashingtonit dhe Moskës, që i jep “start” procesit të paqes në Ukrainë me nismën e presidentit amerikan Donald Trump u zhvillua mes një fryme mirëkuptimi që mungonte prej vitesh mes dy vendeve. Takimi mes Marko Rubios, Sergei Lavrovit dhe ekipeve përkatëse në kryeqytetin e Arabisë Saudite zgjati për 4 orë. Palët vendosën 4 objektiva kryesore:

•Rivendosja e misioneve diplomatike në Moskë dhe Uashington

•Krijimi i ekipeve të nivelit të lartë për negociatat për fundin e luftës në Ukrainë dhe paqen afatgjatë.

•Nisja e bashkëpunimit gjeopolitik dhe ekonomik pas fundit të luftës.

•Angazhim që ekipet negociuese në Riad të nxisin dhe garantojnë përparimin e procesit të paqes

Sekretari amerikan i Shtetit Marko Rubio nënvizoi një pikë të rëndësishme që negociatat të kenë sukses.

“Që t’i jepet fund kësaj lufte, duhet të ketë lëshime nga të gjitha palët”, tha ai.

Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov përsëriti sërish vijën e kuqe.

“Zgjerimi i NATO-s dhe përpirja e Ukrainës nga Aleanca Veri-Atlantike kërcënon direkt interesat e Federatës Ruse dhe sovranitetin tonë”, tha Lavrov.

Pavarësisht se kryediplomati rus tha një ditë më parë se europianët nuk kishin pse të përfshiheshin në bisedime pasi nuk duan fundin e luftës, homologu amerikan tha se asnjë palë nuk është e përjashtuar, ndërsa ky ishte vetëm fillimi i bisedimeve dhe në të do të përfshihej edhe Ukraina.

Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski, nga Ankaraja ku takoi kreun e shtetit turk Rexhep Taip Erdogan përsëriti se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk përfshin Ukrainën. Ai shtyu për në mesin e Marsit, vizitën e tij parashikuar për këtë javë në Arabinë Saudite për të mos i dhënë, siç tha, legjitimitet takimit Rubio-Lavrov.

Pas këtyre zhvillimeve, presidenti francez Emmanuel Macron thirri për të mërkurën një samit të dytë urgjent të vendeve europiane që nuk ishin në takimin e parë dhe Kanadanë për të diskutuar për Ukrainën.

Të Hënën, liderët europianë nuk ranë dakord për dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, një propozim i mbështetur nga kryeministri britanik Keir Starmer por i kundërshtuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili e konsideroi të rrezikshëm.

Tv Klan