Në Eritrea, veç internetit që mungon apo lëvizjes së kufizuar për turistët dhe pamundësisë së vendasve për t’u larguar, nuk njihet as marketingu. Por edhe pse është një ndër vendet më të izoluara në botë, rastësia të ndesh edhe me shqiptarë.

Blendi Fevziu, i cili sapo është kthyer nga kjo pjesë e tokës afrikane tregon në “Rudina” në Tv Klan sesi ndodhi takimi i tij me mjekun e njohur, Altin Veshti pikërisht në një prej vendeve më të varfra të Afrikës. Më tej, mësoi se aty jetonin edhe shqiptarë.

Blendi Fevziu: Më pyeste drejtori i hotelit se duke qenë i vetmi aty, u ula me të dhe më tha “çfarë je?”  I thashë jam biznesmen. “Çfarë biznesi merresh?”  Me marketing, i thashë. “Çfarë është ky?” Dhe fillova t’i shpjegoja çfarë ishte marketingu, tha “a, më tha më lodhe shumë, nuk e kuptokam fare”. Dhe i thashë po çfarë do kuptosh ti? 

Rudina Magjistari: Aty duket sikur koha paska ndalur në vend.

Blendi Fevziu: Estrada ishte që gjeta në Eritrea një shqiptar dhe kjo ishte pastaj gjëja më e pabesueshme që ishte Altin Veshti që unë e njoh, e kam pasur në studio. Unë s’e besoja dot, Altini erdhi me një kardiokirurg të Padovës, një grup mjekësh.

Rudina Magjistari: Altini bën shumë udhëtime humanitare.

Blendi Fevziu: Ata ishin, në mos gaboj, rreth 6 mjekë dhe këtu jemi në hotel. Ishim nja 4 të huaj. Altini nuk ishte në hotelin tim, por erdhi.

Rudina Magjistari: Koincidencë e jashtëzakonshme, të gjesh një shqiptar tjetër…

Blendi Fevziu: Si ka mundësi që s’ka vend që s’del shqiptar? Dhe nuk është kjo më e bukura, më e bukura është që pasi u ktheva me dr. Altinin, më erdhi mesazh nga një shqiptar që jetonte në Eritea, tha “jemi 4 shqiptarë që jetojmë këtu por s’kishim internet të të shkruanim”.

Si një vend i varfër, Eritrea nuk ka burime për të mundësuar ndërhyrjet kirurgjikale.

Blendi Fevziu: Gjithë Eritrea nuk kishte asnjë doktor që bën operacione në zemër. Kur vinte ky grupi i doktorëve të huaj, ishte një lloj ekzaltimi në Eritrea, por natyrisht kishte një lloj kush të fuste njerëzit e tij të afërt për t’u operuar. Altini tha “kam ndenjur gjithë ditën mbi kokë për të operuar fëmijë dhe jam tmerruar kur një vajzë 14 vjeçe e kthyem në shtëpi dhe i thamë do shkosh të vdesësh, tani është shumë vonë”. Më tha që kushtet e spitaleve janë shumë problematike./tvklan.al