Rubrika “Ka një mesazh për ty” në Tv Klan solli ditën e sotme një histori tepër të veçantë, e cila vendosi në fokus miqësinë e sinqertë dhe të pastër midis dy shokëve.

Zhulieta tregoi në studio se motivi që ajo kishte kontaktuar me programin ishte babai i saj dhe dëshira e tij e madhe prej vitesh që të takonte mikun e tij të ushtrisë.

Sipas saj, ai ishte jo vetëm shoku i tij më i mirë, por edhe vëllai i tij sepse lidhja mes tyre ishte shumë e fortë.

Zhulieta: Babi im është në moshën 72-vjeçare, është një prind që çdo fëmijë do ishte krenar të ishte fëmija i tij.  Ai ka sakrifikuar gjithë jetën e tij, çdo gjë, që të na plotësojë ne çdo dëshirë, të na shkollojë, ka sakrifikuar deri në detajet më të vogla veten e tij. Edhe babi ka patur një dëshirë tepër të madhe, ka patur një shok shumë të ngushtë dhe unë falenderoj që m’u dha mundësia t’i plotësoj dëshirën e tij. Babi ka shkuar në ushtri në moshën 19-vjeçare, në Bilisht të Korçës. Ai tregon se mbas disa ditësh është takuar  me një person që është bërë shok e vëllai i  tij.

Ardit Gjebrea: Me emrin?

Zhulieta: Qazim Kaçeli! Babi flet për një marrëdhënie jo shok por vëllezër, ka qenë një marrëdhënie shumë e fortë. Secili vazhdoi jetën e tij, babi erdhi në Koplik se aty jeton, u martua, u bë me fëmijë. Ndoshta angazhimet familjare, dëshira ka qenë e madhe për të patur kontakte, por jeta ka ardhur e tillë dhe nuk u krijua mundësia. Edhe pse mendimet çdo ditë, bisedat me familjen, çdo darkë familjare, gjithmonë Qazimi ka qenë tema më e diskutueshme. Në vitet ’90, Qazimi ka ardhur në Koplik, ne kishim lindur. Atë ditë që Qazimi ka ardhur mami ishte në shtëpi vetëm. Trokiti dikush tek dera, doli mami: Përshëndetje! Ti je gruaja e Bajramit? Po i thotë mami. Më njeh ti mua? Po i thotë mami. Më njeh? Je e sigurt? Po i thotë mami, ti je Qazimi.

Ardit Gjebrea: Mami pa e parë kurrë Qazimin, i thotë ti je Qazimi?

Zhulieta: Po pa e parë kurrë!

Ardit Gjebrea: Si ka mundësi?

Zhulieta: Si ka mundësi, i thotë Qazimi. Ku më njeh ti mua? Atëherë thotë mami, Qazimi pa vazhduar më tej muhabetin ja nis të qajë, u emocionua tepër shumë. Tha kam patur të drejtë, tani po e besoj çfarë dashurie dhe shok kam patur, se përderisa kanë kaluar kaq shumë vite, një person që s’më ka parë, fëmijët e tij po më njohin. /tvklan.al