Nga qyteti i Dortmund në Gjermani atje ku dhe do të mbahet ndeshja e parë e kombëtares kuqezi, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka një thirrje për tifozët shqiptarë.

“Në Gjermani nuk i bihet borisë” ka thënë mes të qeshurash Balla. Ndërkohë ai shprehet shumë i lumtur për sjelljen e tifozëve, pa harruar të tregojë mbështetjen e tij për kombëtaren kuqezi.

“Por si ministër i Brendshëm vlerësoj maksimalisht sjellje e të gjithë tifozëve shqiptarë duke u kërkuar që të bindemi sado pak një rregulli gjerman që pala e policisë gjermane ma ka transmetuar. Në Gjermani nuk i bihet borisë. Dhe e vërteta është që të vetmi merak që drejtuesja e policisë gjermane, që përkujdeset ose drejton këtë operacion, i ka kërkuar drejtuesve të policisë shqiptare dhe mua. Ka qenë pjesa që ‘Ju lutem tifozëve shqiptarë të mos i bini borive në qytet sepse kjo gjë nuk ndodh në Gjermani.’

Megjithatë unë kam besimin se çdo gjë do të shkojë mirë edhe unë këtu më shumë se sa një ministër i Brendshëm jam më shumë pjesë e atyre mijëra tifozë shqiptarë që kanë ardhur të mbështesin ekipin e tyre të zemrës. Dhe ekipi i zemrës është për të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet. Siç është edhe përbërja e Kombëtares sonë, po t’i hedhës një sy Kombëtares sonë kemi nga të gjitha trevat,” tha më tej ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

/tvklan.al