Ministria e Mjedisit iu thotë stop lejeve për shfrytëzimin e shtretërve të  lumenjve, pasi ato janë të gërryer në maksimum. Mendimi i ekspertëve për ndërprerjen e lejeve është dhënë rreth 7 vjet më parë, kur situata dukej se po përkeqësohej.

Taulant Bino: “Vendimi qarkullues për ndalimin e dhënies së lejeve të reja bazohet dhe në studime të kryera nga ekspertë të mjedisit, kryesisht ekspertë të fushës së gjeomorfologjisë, të cilët në një raport të dorëzuar në vitin 2002 ose 2003 kanë evidentuar që shfrytëzimi i inerteve lumore sillte në dëmtim të vetë ekosistemit lumor, duke prekur në disa raste dhe shkëmbin amë dhe për pasojë sillnin dëmtim të infrastrukturës rrugore, të infrastrukturës bujqësore dhe të infrastrukturës mjedisore”.

Shkatërrimi i shtretërve të lumenjve është dhe një faktor që ndikoi në përmbytjen e shkaktuar në Shkodër, e cila ka lënë disa pasoja në mjedis.

Taulant Bino: “Bëhet fjalë kryesisht për dëmtim të strukturës mjedisore, e cila ka mpakte kryesisht në shëndetin e njeriut, por dhe në mjedis përgjithësisht. Mund të ketë edhe sisteme të ndotjes, ka dhe dëmtim të argjinaturave kryesore që ndajnë tokën nga deti.”

Pas përmbytjes në zonën e Shkodrës Ministria e Mjedisit ka hartuar një plan masash të menjëhershme për rehabilitimin e të gjithë pellgut ujëmbledhës nëpërmjet pyllëzimit, si dhe forcimin e kontrolleve për ndalimin e shfrytëzimit ilegal të lumenjve./tvklan.al