Autoritetet shqiptare mohojnë që materialet që transportojnë anijet e nisura nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës dhe Kinës të jenë mbetje të rrezikshme.
Në një reagim të përbashkët Ministria e Transporteve dhe ajo e Mjedisit theksojnë se në të dyja rastet e përfolura të transportit, nga Elbasani drejt Tajlandës dhe nga Kosova drejt Kinës, mallrat janë deklaruar si okside dhe hidrokside hekuri apo koncentrat zinku dhe se ato janë transportuar nga Porti i Durrësit drejt porteve evropiane përmes linjave kontejnerike ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nuk janë bërë objekte kontrollesh në vendet e BE-së.
“Nga verifikimet e të dyja proceseve logjistike, si dhe të ngarkesave të ngjashme në të kaluarën, mallra me klasifikim të tillë nuk janë konsideruar asnjëherë si mbetje të rrezikshme nga organet doganore dhe mjedisore. E njëjta gjë vlen dhe nga pikëpamja e legjislacionit portual dhe të transportit detar: Këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në Kodin Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme dhe për pasojë nuk mund të aludohet për mosveprim të administratës portuale apo asaj detare”.
Madje për të vërtetuar këtë, në deklaratë theksohet se transporti i mallrave të tilla ka ndodhur gjithmonë dhe pa asnjë ndalesë.
“Faktet tregojnë se ngarkesa të tilla janë pranuar rregullisht nga vendet tranzit dhe nga vendet e destinacionit fundor. Më konkretisht rezulton se së fundmi 360 njësi kontejnerike të tilla janë pranuar nga autoritetet doganore kineze vetëm në 10 muajt e fundit”.
Pavarësisht kësaj, dy ministritë në reagimin e tyre nënvizojnë se në çdo rast, konventat ndërkombëtare, parashikojnë se deklarimi i ngarkesës si mall i rrezikshëm apo mbetje e rrezikshme është detyrim i eksportuesit apo importuesit, çka duhet të evidentohet përmes dokumentacionit shoqërues të mallit nga prodhuesi, analizat dhe autorizimet përkatëse. Gjë që sipas autoriteteve shqiptare operatorët ekonomikë që kanë kryer eksportimin e këtyre mbetjeve dyshohet te mos e kenë kryer.
“Në vend që të bëjmë përgjegjëse agjencitë ligjzbatuese për përpjekjet evidente të dy operatorëve ekonomikë, përkatësisht njërit në Shqipëri e tjetrit në Kosovë, për t’iu shmangur përgjegjësive të tyre, do të ishte e udhës për të gjithë që të prisnim rezultatet e hetimeve dhe analizave përkatëse”.
Por ndërsa hetimet duhet të nxjerrin në pah të vërtetën dhe përgjegjësitë në rast të shkeljeve, Ministria e Transporteve dhe ajo e Mjedisit theksojnë se në këto rrethana, nuk mundet që Shqipëria të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme.
Tv Klan