Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në tregjet ndërkombëtare valutore dollari amerikan u shkëmbye afër niveleve më të ulëta të dy muajve të fundit ndaj euros, pas rënies së përgjithshme që shënoi gjatë ditës së djeshme pasdite.

Të enjten dollari amerikan shënoi humbje të konsiderueshme të menjëhershme ndaj gjithë monedhave kryesore botërore, duke humbur gati 1% ndaj monedhës së përbashkët europiane dhe frangës zvicerane humbje që erdhën nga thyerja e niveleve teknike. Gjithashtu nën presion të gjithanshëm dollari shënoi dje nivelet më të ulëta të 11 viteve të ulëta ndaj dollarit kanadez.

Ndërkohë sot sterlina angleze pati një ecuri negative duke humbur 1% ndaj dollarit amerikan dhe 0.8% ndaj euros. Sipas informacioneve të Bankës Italo-Shqiptare në tregun tonë të brendshëm valutor vazhdon mbiçmimi i monedhës sonë kombëtare duke shënuar sot një vlerësim të ndjeshëm ndaj dollarit amerikan. Ndërkohë që leku është shkëmbyer i qëndrueshëm ndaj euros./tvklan.al