Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në tregjet ndërkombëtare valutore dollari amerikan nuk arriti të konsolidonte pozicionet e fituara të premten ndaj monedhës së përbashkët euro, duke bërë që kjo e fundit të shkëmbehet sërish afër niveleve rekord. Dollari amerikan humbi terren të konsiderueshëm dhe ndaj paundit britanik, ku për herë të parë në 11 vitet e fundit paundi britanik u shkëmbye në nivelet 1 baras me 1.9 dollarë.

Euro po i afrohet kështu nivelit kritik, 1 euro baras me 1.29 dollarë dhe nëse ky nivel do të thyet, atëherë do të jetë çështje kohe përpara se monedha e përbashkët të testojë nivelin psikologjik shumë të rëndësishëm 1 euro baras me 1.3 dollarë, i cili rrezikon dukshëm eksportet europiane dhe për rrjedhojë rritjen ekonomike të Europës.

Sipas informacioneve të Bankës Italo-Shqiptare, në tregun tonë të brendshëm valutor monedha jonë kombëtare është vlerësuar sërish sot ndaj dollarit amerikan, ndërkohë që leku ka humbur fare pak terren ndaj monedhës së përbashkët euro./tvklan.al