Partia Socialiste ka konfirmuar mbështetjen për deklaratën e PDIU-së, sa i takon rezolutës ndaj Greqisë për heqjen e ligjit të luftës. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pro u shpreh edhe PD. Siç raporton gazetarja Klesiana Omeri, në seancën plenare të së Enjtes është parashikuar një hapësirë kohore për diskutim ku palët të shprehin qëndrimet e tyre para se të miratohet rezoluta.

Edhe ministrja Elisa Spiropali e cilësoi një ligj absurd dhe të dalë kohe.


“Qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke ndër vite për heqjen e atij ligji. Jo vetëm përpjekjet dypalëshe, apo deklaratat ndër vite të ish-ministrave të jashtëm grekë, por edhe në takimet më të afërta me homologët tanë ne e kemi bërë prezente qëndrimin tonë. Uroj që të miratohet sepse Greqia është një shtet mik, ne e kemi firmosur Traktatin e Paqes, Mirëkuptimit, Bashkëpunimit dhe Sigurisë me Greqinë i cili është ratifikuar në 1998-ën. Ne jemi në OSBE, NATO e kudo sëbashku”, tha Spiropali për mediat.

Kërkesa për heqjen e këtij ligji janë bërë nga qeveria shqiptare që prej vitit 1991, por sot e kësaj dite ai është ende në fuqi. Bëhet fjalë për një ligj që daton që prej 10 nëntorit të 1940-ës. Kohë kur u shpall dekreti mbretëror mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë.

Asokohe të gjitha pasuritë e shqiptarëve në Greqi u sekuestruan dhe filluan të administrohen nga shteti grek. Sipas këtij ligji, shtetas shqiptarë me origjinë greke quhen të gjithë ortodoksët e Shqipërisë./tvklan.al