Një atentat me armë zjarri ka ndodhur në Vlorë mbrëmjen e së mërkurës. Tvklan.al ka mësuar nga burime policore se dy persona kanë mbetur të plagosur.
Njëri nga të plagosurit është Kevin Hajrulla 29 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas hetuesve, Hajrulla ishte dhe objektiv i atentatit.
Ndërsa i plagosuri i dytë është një qytetar që nuk ka lidhje me ngjarjen. Qytetari A.S. shiste fruta-perime pranë vendit ku ndodhi breshëria e armëve dhe u prek nga plumbat. Ai është dërguar në spital ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “24 Maji”. Makina e të plagosurit Kevin Hajrulla është bërë shoshë nga plumbat, siç duket edhe në pamje.
Sa i përket autorëve, nuk dihet asgjë. Automjeti i tyre u gjet duke u djegur pak minuta më vonë në autostradën Vlorë-Fier. Brenda mjetit policia gjeti 2 kallashnikovë dhe 2 krehëra kallashnikovi.
Policia shkoi në vendngjarje dhe rrethoi zonën. Teksa forca të tjera policore kanë ngritur postblloqe në disa akse rrugore.
NJOFTIMI PARAPRAK I POLICISË SË VLORËS:
Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30 vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35 vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.
Të dy personat janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.
/tvklan.al