Është dënuar me 4 vite burg, ish-deputeti socialist Alqi Bllako. Me gjykim të shkurtuar, ai do të vuajë 2 vite e 8 muaj në qeli, nën akuzë për inceneratorin e Tiranës. Edhe pse është shpallur fajtor në shkallë të parë, prezumohet i pafajshëm deri në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.


Për këtë çështje, Bllako u mor i pandehur nga SPAK në Nëntor të vitit të shkuar. Prokuroria e Posaçme kërkoi 5 vite heqje lirie dhe 5 vite jashtë funksioneve publike, për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Ka dyshime, sipas SPAK, që Bllako ka përfituar 119 mijë euro për pajisje për kompaninë e babait të tij. Kjo e fundit, është kompania që ka fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Prokuroria shton se është përgatitur edhe dokumentacioni për dhënien e bonusit në masën 8% kësaj kompanie më qëllim që kjo e fundit të fitonte koncesionin. Në propozimin e pakërkuar nuk ishin parashikuar kostot nga shoqëria propozuese. Bllako i ka dërguar një përgjigjie Këshillit të Ministrave duke theksuar se ky propozim nuk do t’i shkaktonte asnjë dëm buxhetit të shtetit.

Në arsyetimin e SPAK thuhet po ashtu se Bllako ka ndihmuar për të bërë gati studimin e fizibilitetit dhe ka mbajtur lidhje me shtetasin Klodian Zoto.

/tvklan.al