Të shtëna me armë zjarri ndodhën këtë të diel në West Palm Beach të Floridas, në afërsi të vendit ku po qëndronte Donald Trump. Ish-presidenti ndodhej në qendrën e tij të golfit, kur u dëgjuan disa të shtëna. Ekipi i kandidatit republikan tha se ish-presidenti ishte i sigurt.
“Presidenti Trump është i sigurt, pas të shtënave që ndodhën në afërsi të tij. Për momentin nuk mund të japim më shumë detaje”, tha zëdhënësi i fushatës, Steven Cheung në një deklaratë për mediat pa dhënë detaje të tjera.
Të shtënat ndodhën jashtë rrethimit të qendrës, pak para orës 14:00 me orën lokale.
Teksa Shërbimi Sekret tha se po hetonte ngjarjen, djali i Trump, Donald Trump Jr. citoi agjenci ligjzbatuese lokale sipas së cilave në shkurre ishte zbuluar një armë automatike AK-47 dhe se kishin ndaluar një person si të dyshuar.
Agjentët e Shërbimit Sekret raportohet se hapën zjarr ndaj të dyshuarit, pasi tentoi të arratisej. Sipas CNN, zyrtarët besojnë se personi në fjalë synonte të shënjestronte Trump.
Ngjarja është disi e paqartë dhe autoritetet amerikane pritet që të japin më shumë të dhëna rreth saj.
Më 13 Korrik, Donald Trump mbeti i plagosur në një atentat në Pensilvani, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 5 Nëntorit, ku ai do të përballet me zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris.
Atentati i parë ndaj një ish-presidenti në SHBA apo kandidati presidencial në më shumë se 4 dekada, ishte një gabim i dukshëm sigurie që e detyroi Kimberly Cheatle të jepte dorëheqjen nga drejtimi i Shërbimit Sekret.
Trump mori plagë në veshin e djathtë nga ngjarja e 13 korrikut. Ndërsa autori i ngjarjes, 20-vjeçari Thomas Crooks, u ekzekutua me snajper nga Shërbimi Sekret./tvklan.al