Ish-Presidenti Donald Trump thotë se është “shëndoshë e mirë”, pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën këtë të diel në afërsi të qendrës së tij të golfit, në Florida të SHBA.

“Pati të shtëna me armë zjarri në afërsi të vendit ku po qëndroja. Por përpara se thashethemet të dalin jashtë kontrollit, doja që të dëgjonit këtë: Jam shëndoshë e mirë. Asgjë nuk do më ngadalësojë, nuk do dorëzohem kurrë. Do t’ju dua gjithmonë për mbështetjen tuaj”, tha Trump.

Të shtënat ndodhën rreth orës 14:00 (me orën lokale), jashtë rrethimit të qendrës së golfit të Trump. Për ngjarjen u ndalua një person dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri. Shërbimi Sekret tha se po hetonte incidentin, ndërsa sipas mediave ndërkombëtare, agjentët hapën zjarr në drejtim të të dyshuarit pasi ai tentoi të arratisej.

Autoritetet besojnë se personi në fjalë kishte si qëllim të shënjestronte Trump. Megjithatë zyrtarët pritet që të japin një version të saktë për ngjarjen në fjalë.

Të shtënat vijnë pas atentatit të dështuar ndaj Trump që ndodhi më 13 Korrik gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani. Prej asaj kohe, siguria rreth kandidatit republikan ka qenë e shtuar.

Për ngjarjen e kësaj të diele reaguan edhe Presidenti Joe Biden si dhe zëvendësja e tij Kamala Harris. Të dy u shprehën të lehtësuar që Trump ishte shëndoshë e mirë./tvklan.al