Ekipet e kërkim shpëtimit thonë se 12 minatorët e bllokuar nëntokë pas një shpërthimi të ndodhur javën e shkuar në një minierë ari në Kinë, janë ende gjallë.
Mediat shtetërore atje raportojnë se punonjësit kanë arritur të dërgojnë një mesazh ku thuhet: “Mos ndaloni përpjekjet për të na gjetur”, 7 ditë pas incidentit. Fati i 10 minatorëve të tjerë që rezultojnë të zhdukur pas shpërthimit, mbetet i paqartë.
22 punonjësit mbetën të bllokuar në minierën e Hushan, pranë Yantai në provincën e Shandong në lindje të Kinës më 10 Janar, pas një shpërthimi që dëmtoi daljen dhe sistemin e komunikimit të minierës, e cila ishte ende në ndërtim. Sipas mediave vendase, ekipet e shpëtimit arritën të vendosin komunikimin me disa prej minatorëve nëpërmjet një hapësire të ngushtë. Ata përdorën një litar për t’u dërguar atyre ushqim, ilaçe, letër e stilolaps. Bazuar në letrën që morën, 12 minatorë janë gjallë në këtë seksion të minierës, ndërsa fati i 10 të tjerëve nuk dihet ende.
12 minatorët mësohet se kërkuan për më shumë ilaçe, përfshirë qetësues dhe antiinflamatorë, ashtu sikurse garza për të plagosurit. Ata thanë gjithashtu se kishte nivele të larta të ujit nëntokë.
Incidenti u raportua më shumë se një ditë më vonë, duke bërë që ekipet e kërkim shpëtimit të humbnin kohë të çmuar në përpjekjet e tyre për të arritur tek minatorët. Për vonesën prej 30 orësh u shkarkuan nga detyra si sekretari lokal i Partisë Komuniste, ashtu edhe kryebashkiaku.
Sipas asaj që shkruan BBC, incidentet nëpër miniera nuk janë të pazakonta në Kinë dhe shpesh shkak janë kushtet e dobëta të sigurisë./tvklan.al