Të rinjtë të cilëve iu refuzua viza për kryerjen e studimeve në Itali kanë dalë sërish para Ambasadës Italiane një ditë pasi policia shoqëroi disa prej tyre në komisariat për tubim të paligjshëm.
“ Ne kemi qenë ulur në rrugë në ato momente, policia na lajmëroi me megafon që të largoheshim në trotuar dhe ne në ato kohë u larguam në trotuar dhe befas erdhën rreth 5 furgona policie dhe me dhunë na kanë shkelmosur, na kanë goditur na kanë marrë me dhunë, rreth 5 persona i morën në Komisariatin Nr.1.”
Një përfaqësi nga 208 e studentët, që pretendojnë se u është mohuar e drejta për të studiuar në Itali, u takua një ditë më parë me kryaministrin Nano gjatë një aktiviteti në Pallatin e Kongreseve. Ndërsa sot ata u takuan me zyrtarë të kabinetit të kryeministrit për të njëjtin problem.
“Sipas bisedimeve që u bënë, doli që ata kishin informacion krejt të kundërt nga ai që kishim ne, shifrat ishin krejt të ndryshme, shumë të zvogëluara nga numri i madh i studentëve që janë pa viza, tani presim, do të paraqesim listat dhe presim mos bëhet ndonjë ndryshim.”
Studentët protestues kanë marrë edhe mbështetjen e lëvizjes “MJAFT!, drejtuesit e kësaj të fundit kanë kontribuuar duke ofruar edhe mjediset e veta për të kaluar natën studentëve të cilët vijnë nga rrethet./tvklan.al