“Xhaxhi kryeministër, a mund të bëjmë një foto të lutem se e di që e ke pasur ëndërr?”.
Kjo kërkesë, jo e një njeriu të zakonshëm, por e një personazhi të Teatrit të Kukullave mbylli fjalimin e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë për përurimin e godinës. Jo vetëm foton, që ai ia bëri realitet, por i dha edhe një puthje një prej kukullave që do të shoqërojë fëmijët në shfaqje të ndryshme.
Po ashtu nuk mungoi një thirrje e kryeministrit Rama për fëmijët, që ta evitojnë sa të munden parlamentin deri kur të rriten e të mos kenë më mundësi ta bëjnë diçka të tillë. Ndërsa politikanët si ai, sugjeroi që fëmijët e vegjël t’i shohin si kukulla.
“Dua të falenderoj gjithë fëmijët për durimin dhe t’ju kërkoj ndjesë sepse sot kanë ardhur në Teatrin e Kukullave dhe nuk kanë ardhur të shohin në skenë kukulla si puna ime, por mbase po të më konsideroni një kukull, mund të ndihem unë pak më mirë, sepse përndryshe do ndihesha shumë keq. Këtu ka qenë parlamenti shqiptar dikur dhe unë uroj që ju të rriteni duke parë sa më pak parlamentin shqiptar deri kur të mos keni mundësi më ta evitoni. Por për sa kohë keni mundësi ta evitoni, ju lutem shumë juve fëmijëve të na konsideroni kukulla dhe të silleni me ne si me kukullat, por ndryshe nga kukullat tuaja që i merrni afër, i përkëdhelni, ne na konsideroni si ato kukullat që është mirë të mbahen larg, që futen në skenë për të krijuar një atmosferë shqetësimi deri kur drita pastaj vjen dhe muzika fillon prapë dhe ato ikin nga skena”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se Teatri i Kukullave është historik dhe rikonstruktimi ishte i domosdoshëm.
“Kjo godinë ka një histori, ka një arsye të rëndësishme për t’u mbajtur, për t’u mirëmbajtur dhe për gjithë këtë investim që u bë, një investim që është shumë më shumë çfarë duket në sy të parë sepse siç u pa në ato pak minuta të dokumentarit është një investim në pjesën e padukshme që është dhe pjesa më komplekse e një teatri, gjithçka që gjendet në funksion të skenës dhe patjetër në funksion të kushteve të domosdoshme. Ky teatër nuk kishte ngrohje dhe ftohje qendrore më parë, sot e ka. E kështu me radhë”, tha Rama.
Ai bëri me dije se ndërkohë së shpejti pritet që të hapet dera e një tjetri teatri të madh për fëmijët.
“Është gjithmonë më shumë se sa një godinë, më shumë se sa një vepër, kur diçka më shumë shtohet në funksion të fëmijëve. Më vjen shumë mirë që tanimë së paku kjo derë u hap. Po punojmë përditë që së shpejti të hapim derën tjetër të teatrit të madh të fëmijëve dhe do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet që të krijojmë sa më shumë hapësira, sa më shumë mundësi të hapim sa më shumë dyer për aktivitete sa më të larmishme për fëmijët e kryeqytetit dhe jo vetëm të kryeqytetit, por në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama./tvklan.al