Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Në teatrin e Rubairave do të shfaqet sot në mbrëmje drama “Tradhëti bashkëshortore”, nga Harold Pinter. Kjo dramë vjen pas prezantimit me sukses të premierës së saj një javë më parë dhe do të vazhdojë të shfaqet pothuajse gjatë gjithë sezonit artistik. Në rolet kryesore të kësaj drame janë Xhevdet Ferri, i cili mban edhe firmën e regjisorit të kësaj shfaqje, Ndriçim Xhepa dhe Rozeta Ferri.
Ndryshe nga thashethemet e medias se kjo sallë është vetëm një studio televizive e TV Klan, në këtë sezon, që tashmë ka filluar do të shfaqen dhe drama e komedi të autorëve të ndryshëm. Për këtë gjë drejtori i këtij teatri zoti Leka Bungo shpjegon.
Leka Bungo:- “Përveç premierës së parë që u dha këto ditë dhe që vazhdon të jepet me sukses “Tradhëti bashkëshortore” e Harold Pinter, Në fund të këtij muaji, regjisori nga Prishtina Fadil Hysi me aktoren e shquar Yllka Mujo, do të dalin në premierën e dytë me një monodramë shumë të suksesshme, që shfaqet në të gjithë skenat e europës. Krahas këtyre dy premierave, këto ditë fillojnë përgatitjet për një pjesë për fëmijë, shkruar nga një autor vendas. Desha të nënvizojë, se shpesh herë kam parë akuzat që i bëhen sallës së Rubairave, që është studio, por në të vërtetë është teatër”./tvkan.al
Gazetare – Fjodora Fjora