Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Teatri Kombëtar shpall konkurs të hapur për sezonin e ardhshëm 2004-2005. Sipas drejtorit Kiço Londo, sezoni i shkuar mund të quhet rikthim në normalitet i teatrit, ndërkohë që për sezonin e ardhshëm pretendimet rriten, duke kërkuar një konsolidim të sistemit të repertorit, profilit artistik, si dhe një shkrirje të vlerave më të mira të traditës.

Për të arritur këtë objektivë, Teatri Kombëtar do të realizojë 6 produksione premierë të cilat do të përfshijnë të gjitha rrymat nga antikiteti e deri në artin bashkëkohor.

Kiço Londo: “Sezoni pasardhës nuk do të ketë shumë pika takimi me sezonin paraardhës. Ky do të jetë një sezon në të cilin Teatri Kombëtar do të synojë kristalizimin e krijimit të portretit të Teatrit Kombëtar. Një sezon me ambicie në rrafshin profesional, pse jo dhe në atë në rrafshin ekonomik”.

Në këtë sezon, ndryshe nga ai i kaluar do të ketë një baraspeshë mes dramës dhe komedisë. Gjithsesi, sa i përket konkursit, kriter vlerësimi do të jetë cilësia artistike e veprës dhe konceptit regjisorial./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani