Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas “Kapitullit II”, një tjetër komedi vjen së shpejti për publikun kryeqytetas në Teatrin Kombëtar. “Kopraci” i Molierit është shfaqja që po përgatit regjisori Hervin Çuli.

Kjo komedi ka mbledhur emra të mëdhenj të teatrit, si Robert Ndrenika, i cili kësaj here do të na sjellë me mjeshtërinë e tij teatrale, një koprac të vërtetë. Por nuk mungojnë në role kryesore aktorët Yllka Mujo, Roland Trebicka, Arben Derhemi, Dritan Boriçi, Monika Lubonja e të tjerë aktorë, të cilët po punojnë seriozisht për të sjellë para publikut jo vetëm të qeshurën, por dhe mjeshtërinë dhe artin, me të cilën është ndërtuar një kryevepër e tillë. Regjisori Çuli e konsideron këtë komedi, si një ndër më ambiciozet.

Hervin Çuli: “Atëherë këtë herë ju them, që është shfaqja më ambicioze e jetës time, e karrierës time të deritanishme. Po sjellë në skenë një nga kryeveprat e komedisë së deritanishme, “Harpagonin”, ose “Kopracin” e njohur në gjuhën popullore, shpresoj që do të jetë vërtetë shfaqja më e mirë që unë kam vënë ndonjëherë, ashtu siç është edhe më e dashura deri tani”.

Gazetarja: Kur do të kemi kënaqësinë ta shohim shfaqen tuaj?

Hervin Çuli: “Po them, që rreth mesit tëkëtij muaji, dy-tre ditë mbrapa mesit të këtij muaji them, se premiera duhet të jetë gati”./tvklan.al

Gazetare – Mira Kazhani