Kampionati Europian në Gjermani do të jetë shansi i fundit për Gareth Southgate për të fituar trofe si trajner i Anglisë. Ka qenë vetë tekniku që ka pranuar se e ardhmja e tij në krye të “Tre Luanëve” do të varet nga rezultati i tyre në Euro2024.
Nëse kombëtajra angleze nuk përmirësohet nga edicioni i shkuar, pra të fitojë trofeun do të ketë një divorc mes palëve. Megjithatë, federata angleze dëshiron që ai të vazhdojë kontratën aktuale, e cila skadon në dhjetorin e këtij viti të paktën deri në Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Një eventualitet që trajneri do ta marrë parasysh vetëm në rast triumfi në Gjermani, sepse në të kundërtën “presioni mbi supet e tij do të bëhej shumë i rëndë”. Southgate e ka udhëhequr Anglinë për tetë vjet, gjatë të cilave e ka udhëhequr në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2018 në Rusi dhe në finalen e Europianit të shkuar, para eliminimit të tyre në çerekfinale kundër Francës në Kupën e Botës në Katar.
Ditët e fundit, për teknikun anglez aludohet se ka mbërritur një ofertë nga Manchester United për ta bindur atë të udhëheqë “Djajtë e Kuq” nga sezoni i ardhshëm.
Klan News