Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka nisur që të mendojë për sfidën kundën Shqipërisë. Hapi i parë është kontakti me futbollistët e “Tre Luanëve” dhe familjarizimi me ta.
Tuchel filloi zyrtarisht punën më 1 Janar dhe ka parë një numër ndeshjesh të Premier League, ndërsa po mendon për futbollistët që do t’i angazhojë si kundër kuqezinjve, ashtu edhe ndaj Letonisë, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Dhe gjermani ka folur me një numër lojtarësh tashmë përpara finalizimit të planeve të tij për sfidat e marsit, raporton Daily Mail. Ai ka marrëdhënie me disa nga lojtarët që mund të paraqiten në grumbullimin e tij të parë, më i rëndësishmi kapiteni Harry Kane, me të cilin ka punuar te Bayern Mucnhen.
Aktualisht, problemi i parë i teknikut të ri të “Tre Luanëve” do të jetë ana e majtë e mbrojtjes. Luke Shaw është ende në infermieri për shkak të një dëmtimi, Kieran Trippier u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar dhe Ben Chilwell nuk po luan më rregullisht te Çelsi.
Ndërkohë që interesimi është mjaft i madh nga tifozët kuqezi për përballjen e 21 Marsit. Mjaftuan vetëm shtatë orë që biletat e sektorit kuqezi në impiantin “Wembley” të shiteshin plotësisht. Në total për fansat e Shqipërisë të disponueshme ishin 5 mijë bileta.
Shtatë do të jenë sektorët e stadiumit të Londrës që do të presin tifozët e dedikuar për kuqezinjtë. Pas përballjes në Londër ndaj “Tre Luanëve” kuqezinjtë e Silvinjos do të ndeshen edhe me Andorrën në “Arena Kombëtare” tre ditë më pas.
Të gjitha ndeshjet e kuqezinjve në këtë event do të transmetohen ekskluzivisht në televizion Klan.
Klan News