Nuk kanë fund telashet për regjistrimin e lojtarëve te Barcelona. Klubi katalanas ka humbur një tjetër betejë, në përpjekjet për të arritur një marrëveshje.

La Liga dhe Federata Spanjolle e Futbollit, kanë refuzuar regjistrimin e dy lojtarëve nga Barcelona, Dani Olmo dhe Pau Victor.

Kjo u konfirmua nga një deklaratë zyrtare, ku njoftohet vendimi i marrë.

“Pasi janë kërkuar licencat për lojtarët Dani Olmo dhe Pau Victor nga FC Barcelona dhe pas analizës së rregulloreve federale në fuqi, Komiteti i Monitorimit pranon të mos japë licencën paraprake dhe as licencën përfundimtare të kërkuar nga FC Barcelona, në përputhje me interpretimin e mirëfilltë të neneve 130.2 dhe 141.5 të Rregullores së Përgjithshme të RFEF-së, të cilat e pengojnë një lojtar të cilit i është hequr licenca të jetë në gjendje, gjatë të njëjtit sezon, të marrë një licencë në të njëjtin ekip të klubit për të cilin ai ishte tashmë i lidhur”, shkruan Federata Spanjolle e Futbollit.

Te Barcelona tashmë duhet të gjejnë një zgjidhje tjetër, sidomos për Olmo, për të cilin paguan rreth 60 milionë euro në verë, për ta afruar nga Leipzig.

/tvklan.al