Në bisedën telefonike me kreun e shtetit rus Putin, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nuk kishte vërejtur ndonjë ndryshim në qëndrimin e Putinit për luftën kundër Ukrainës. Biseda ishte shumë e hollësishme, tha politikani i SPD-së para nisjes së tij për takimin e G20 në Brazil.

“Ishte e rëndësishme t’i bëhej e qartë presidentit rus se ai nuk duhet të presë që mbështetja e Gjermanisë, Evropës dhe shumë të tjerëve në botë për Ukrainën të zvogëlohet”, tha kancelari.

Ai tha se nuk do të ketë vendime të marra pa përfillur Ukrainën. Scholz gjithashtu vuri në dukje se shkëmbimi i pikëpamjeve ishte planifikuar para një kohë të gjatë. “Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të jemi jashtëzakonisht të qartë në çështjen e parimit, domethënë se Ukraina mund të llogarisë mbështetjen tonë tek dhe se vlen parimi bazë: asnjë vendim nuk do të merret pa përfillur Ukrainën”, tha Scholz.

Ai shtoi po ashtu se nuk do të ishte mirë që presidentët e SHBA dhe Rusisë të flisnin për të ardhmen e afërt, pa e bërë këtë kreu i qeverisë së një vendi të rëndësishëm evropian.

Kryeministri polak Tusk kritik ndaj telefonatës

Kryeministri polak Donald Tusk vuri në dyshim dobinë e bisedimeve me presidentin rus Putin. “Askush nuk do ta ndalojë me telefonata,” shkroi politikani liberal-konservator në platformën online “X”, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë. “Javët e ardhshme do të jenë vendimtare, jo vetëm për vetë luftën, por edhe për të ardhmen tonë,” paralajmëroi Tusk.

Sipas Kremlinit, Putini këmbënguli gjatë bisedimeve se Ukraina duhet të heqë dorë nga katër nga rajonet e saj jugore dhe lindore, të cilat Rusia i kishte shpallur të aneksuar, për të arritur një marrëveshje. Kievi e refuzon këtë me vendosmëri.

/DW