Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli 2” janë goditur 3 raste të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve në Lezhë. Policia ka sekuestruar 2450 fara kanabisi, sasi kanabisi dhe pajisje për përpunimin e lëndëve narkotike si dhe kanë vënë në pranga 5 persona.
RASTET E VEPRIMTARISË KRIMINALE:
–Pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shkodrës dhe koordinimit të punës me të, u arrestuan në flagrancë, në qytetin e Lezhës, shtetasit F. C., 36 vjeç, Gj. I., 34 vjeç dhe E. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë implikuar në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Nga kontrollet fizike dhe në banesa, këtyre shtetasve iu gjetën 2450 fara cannabisi, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, një grirëse për lëndën narkotike dhe 3 celularë.
–Në bashkëpunim me specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Lezhë, arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 23 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrolli fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, dyshohet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave.
–U arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, dyshohet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al