Mbledhja e pasdites së sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me tensione. Këshilltari bashkiak i PL-së, Tedi Blushi, ka hedhur dosjen me letra në drejtim të kryebashkiakut Erion Veliaj, gjë që u bë shkak që mbledhja të ndërpritej.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, kryebashkiaku Veliaj thotë se sot në Këshillin Bashkiak kishin për t’u votuar hapja e 2 çerdheve të reja, abonetë falas për studentët, miratimi i shkollës Ecole 42 për të rinjtë, zona e lirë ekonomike TEDA për 5 mijë vende pune të reja dhe grant ii Katarit për sheshin fundor tek Bulevardi i Ri.

Megjithatë, Veliaj shkruan se sipas tij, Ilir Meta dhe ai që e quan “rrugaçi i fundit” që i ka mbetur nuk e përballojnë dot suksesin e Tiranës dhe humbjen e partisë së tyre teksa shton se sjellja prej vandali ndaj kolegëve këshilltarë është shenjë dëshpërimi, jo force. Më tej, në postimin e tij në rrjetin social “X”, Veliaj thotë se do të kërkojë zbatimin e ligjit me përpikmëri që rrugaçëria të marrë përgjigjen që meriton.

“Sot Këshilli Bashkiak kishte për të votuar hapjen e 2 çerdheve të reja, abonetë falas për studentët, miratimin e shkollës Ecole 42 për të rinjtë, zonën e lirë ekonomike TEDA për 5 mijë vende pune të reja dhe grantin e Katarit për sheshin fundor tek Bulevardi i Ri. Por Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit që i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranës dhe as humbjen kolosale të partiçkës së tyre. Sjellja prej vandali ndaj kolegëve këshilltarë, është shenjë dëshpërimi, jo force. Do të kërkoj zbatimin e ligjit me përpikmëri që rrugaçëria të marrë përgjigjen që meriton dhe Tirana të mos mbetet peng i maktheve të Ilir Metës e mjeranëve të tij”, shkruan kryebashkiaku Veliaj.


/tvklan.al