SHBA u kanë bërë thirrje shtetasve amerikanë që të largohen menjëherë nga Libani me çdo biletë të disponueshme. Apeli u dha nga Ambasada Amerikane për shtetasit e saj, duke i njoftuar se në pamundësi ekonomike për tu larguar të kontaktojnë me selinë diplomatike për tu evakuar.
Apel për të lënë Libanin ka bërë se fundmi edhe Britania e Madhe, pasi situata atje mund të përkeqësohet me shpejtësi mes Hebollahut dhe Izraelit, pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Garda Revolucionare e Iranit duke fajësuar Izraelin tha të shtunën se, lideri politik i Hamasit u vra nga një raketë me rreze të shkurtër veprimi, duke hedhur poshtë tezën se eliminimi i tij erdhi nga vendosja e një bombe në rezidencën ku qëndronte në Teheran.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të bindur se Irani do të kundërpërgjigjet së shpejti, e kjo brenda pak ditësh, si hakmarrje ndaj vrasjes së Haniyeh në vendin e tyre.
Pentagoni nga frika e rritjes së tensioneve bëri të ditur se do të dërgojë anije dhe avionë luftarakë shtesë në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit nga sulmet e mundshme nga Irani. Edhe Britania e Madhe ka rritur prezencën e saj ushtarake në Lindjen e Mesme.
Dy anije ushtarake britanike janë tashmë në rajon dhe Forcat Ajrore Mbretërore kanë vënë në gatishmëri helikopterët e transportit.
Tv Klan