Tirana është e sigurt për sa i përket rrezikut ndaj tërmeteve, aq kohë sa të gjitha ndërtimet respektojnë rregullat. Sipas Drejtorit të Institutit të Sizmologjisë, Ibrahim Milushi, për pjesën më të madhe të ndërtimeve që kalojnë 8 katet janë bërë kontrollet dhe studimet në terren.

Ibrahim Milushi: “Në qoftë se zbatohen rregullat, Tirana është e sigurt. Pra normalisht në qoftë se lejet jepen me kritere strikte, dhe në qoftë se rekomandimet tona merren parasysh, dhe në qoftë se studimet tona kërkohen me insistim dhe në qoftë se zbatohen rregullat Tirana është e sigurt”.   

Sipas tij shqetësim mbetet fakti se jo në të gjitha ndërtimet merren parasysh studimet e institutit.

Ibrahim Milushi: “Të gjithë ndërtimet që realizohen në vend, duhet të studiohen nga pikëpamja sizmologjike dhe të dhënat që jepen nga studimet sizmologjike duhet të jenë të sakta”.

Milushi shprehet se ndërtimet shume katëshe në Tiranë janë në gjendje të përballojnë tërmete deri në 7 balle si ai që ndodhi vetëm një ditë më parë në Dibër./tvklan.al

Gazetari: Eno Luarasi