Bashkëjetesa në komunitet tani ka një rregullator ligjor, ligjin për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit, por a respektohet ky ligj?
Brunilda Cami: “Pallatet e reja përgjithësisht kanë një administrator, por jo të zgjedhur në bazë të ligjit të miratuar për të. Vetë banorët kanë gjetur këtë mënyrë duke përzgjedhur njërin prej tyre, i cili merret me mirëmbajtjen e ashensorit dhe të pastrimit të shkallëve”.
“Kujdeset kur ka defekte ashensori, të vijë pastruesja të pastrojë shkallët. Kati i parë, kati i dytë paguajnë deri në 3 mijë lekë, i treti katër, nga i katërti e lartë pastaj paguajnë nga 5 deri në 6 ai i fundit fare. Ca paguajnë, ca s’paguajnë, ka edhe vështirësi”.
Brunilda Cami: “Kur prishet pompa e ujit apo për lyerjen e fasadës paguani para apo si procedohet?”
“Po, janë të gjitha këto, i administron vetë administratori edhe në bazë të lekëve që mbledh. Kur duhen për të dhënë të tjera jap”.
“Atij i drejtohemi, ai merret, thërret teknikun. Në qoftë se duhet lekë më shumë atëherë bëhet një mbledhje në përpjesëtim të drejtë me banorët e pallatit.”
Pavarësisht se administratori i zgjedhur nga vetë këta banorë nuk ka fuqi ligjore që t’i detyrojë ata të paguajnë tarifën mujore për mirëmbajtjen e ambienteve gjendja në këto pallate është dukshëm më e mirë se aty ku administratori nuk ekziston, që kryesisht janë pallate të vjetra, të ndërtuara përpara vitit ’90.
Brunilda Cami: “A keni administrator në pallatin tuaj?”
“Jo.”
Brunilda Cami: “A do ishit dakord që të kishit një administrator që të merrej dhe me fasadën e pallatit që është…”
“Po si s’jemi dakord, shihe si është bërë, ja shihe si është bërë.”
“Kështu ka qenë dikur në fakt, kishte përgjegjës shkalle, interesoheshin për, mbillnin lule, pemë, pastronin territorin, i aktivizonin njerëzit, lyenin me gëlqere. Tani s’ka në fakt.”
Ligji më i ri për administratorët synon mirëmbajtjen e pronës së përbashkët dhe shmangien e konflikteve mes qytetarëve për çështje komunitare.
Sipas ligjit çdo pallat duhet të jetë nën mbikëqyrjen e administratorëve, puna e të cilit kontrollohet nga pushteti vendor./tvklan.al
Gazetarja Brunilda Cami