Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli në konferencë për shtyp, në prag të duelit me Elbasanin në kampionat. Tekniku i rrogozhinasve deklaroi se skuadra e tij është gati për takimin e nesërm.
Tetova deklaroi se ndeshja me Elbasanin do të jetë e vështirë, por shtoi se do të jetë e bukur dhe e luftuar.
“Java ka qenë shumë e mirë dhe jemi gati për nesër. Kemi dy lojtarë të pezulluar, Ndrecën dhe Fangajn, ndërsa Xhemajli është në gjendje gripale dhe e ka pasur të vështirë të stërvitet. Çdo ndeshja ka vështirësitë e veta, lufta është mes 10 skuadrave. Na pret një ndeshje e vështirë me Elbasanin, do të jetë e bukur dhe e luftuar. Lojtarët që kanë ardhur i kemi zgjedhur vetë, kemi balancë në mbrojtje dhe të sulmojmë portën kundërshtarët.
E rëndësishme është që një sulmues të jetë efektiv dhe më pas golat do të vijnë. Jam shpallur kampion me Elbasanin dhe nuk bëjmë dot krahasime, ajo është pjesë e së kaluarës dhe duhet të fokusohem te skuadra ime”, deklaroi Tetova.
Ndeshja Egnatia-Elbasani do të luhet të shtunën në Rrogozhinë, duke nisur nga ora 13:30. /tvklan.al