Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova kërkon maksimumin e pikëve ndaj Tiranës. Në konferencën për shtyp, tekniku i rrogozhinasve, tha se gjendja e skuadrës është shumë e mirë dhe pret që kjo të reflektohet në fushë.
Në lidhje me merkaton, Tetova tha se prurjet janë cilësore, por dëshiron edhe një sulmues për pjesën e mbetur të sezonit.
“Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Luajmë ndaj Tiranës, një ndeshje që ka vlerat e veta. Ne do të kërkojmë maksimumin nga kjo ndeshje.
Nuk e shikoj si sfidë personale me Maganin. Mendoj se është një ndeshje radhe dhe duhet vlerësuar. Duam maksimumin.
Jam i kënaqur me merkaton. Prurjet janë cilësore. Lojtarët që kanë ardhur, përveç Fernandos që ka qenë këtu, janë efektive për ekipin.
Të gjitha skuadrat nga vendi i gjashtë e sipër, janë në lojë për “Final Four”. Kaluam një periudhë tranzicioni lojtarësh dhe çdo gjë do kohën e vet. Mendoj se ajo kohë ka kaluar dhe shpresoj në një ecuri pozitive për pjesën e mbetur të sezonit.
Presion nuk mendoj se kemi. Mendoj vetëm për vazhdimësinë dhe për të parë sa më lart në renditje.
Organika dhe grupi është, të gjithë jemi të fokusuar te puna. Oshilacione më shumë kemi pasur një sulm dhe do të doja ndonjë lojtar në këtë repart”, deklaroi Tetova.
Ndeshja Tirana-Egnatia do të luhet ditën e Shtunë, duke nisur nga ora 16:30 në kryeqytet, në stadiumin “Arena Kombëtare”. /tvklan.al