Në daljen e tij të parë për njohjen e aktakuzave të reja, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ishte i surprizuar pasi ato erdhën krejt papritur ditët e fundit, ndërsa shtoi se prej 4 vitesh përballet me një proces tjetër gjyqësor.
Thaçi tha se ende nuk e ka lexuar akuzat dhe se do të përgjigjet në kohën e përcaktuar me ligj, brenda 30 ditëve.
“E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, por unë nuk paraqes rrezik politik për askënd, prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe kërkoj nga të gjithë ju që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha Thaçi.
Mbrojtja e ish-Presidentit shprehu dakordësinë që më 7 Janar 2025, Thaçi të vetëdeklarohet rreth aktakuzës, ndërsa u vendos që Thaçi të vazhdojë të mbahet në paraburgim.
Edhe ish-udhëheqësi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, i akuzuar po ashtu si Thaçi nuk u deklarua rreth aktakuzës së ngritur ndaj tyre për ndikimin mbi dëshmitarët.
Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 Nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 Dhjetor.
Tv Klan