Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk do të deklarohet rreth akuzave të reja për ndikim mbi dëshmitarët, pasi tha se nuk e ka lexuar aktakuzën në tërësi.

Gjatë paraqitjes së parë për rastin e ri në Dhomat e Specializuara në Hagë, Thaçi tha se “krejt papritmas para 2-3 ditësh” u njoftua për aktakuzën e re dhe nuk ka pasur kohë që ta diskutojë në thelb këtë dokument me ekipin e tij mbrojtës.

“Krejt papritmas para 2-3 ditësh u njoftova për akuzën e re nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Por, unë nuk jam pjesë e garës elektorale, unë nuk paraqes rrezik për askënd. Prandaj, kërkoj edhe sot – unë respektoj dhe besoj në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës – nga të gjithë, kudo që jeni ulur, në cilëndo anë apo në çdo uniformë që jeni në këtë sallë të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha Thaçi.

Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave që ngrihen ndaj tyre.

“Ende nuk i kam lexuar në tërësi, prandaj duhet t’i lexoj që t’i kuptoj”, tha Thaçi.

Pas deklarimit të Thaçit, gjykatësja kërkoi një pauzë të shkurtër, pasi avokatja e Thaçit kërkoi kohë që t’i japë udhëzime atij.

Pas kësaj, Thaçi sqaroi se kur u pyet fillimisht nga gjyqtarja nëse i ka kuptuar akuzat ndaj tij, ai nuk e kishte kuptuar mirë pyetjen.

Gjykatësja kërkoi nga palët që të vendosin një datë për vetëdeklarimin e Thaçit. Mbrojtja tha se është dakord që më 7 janar 2025, Thaçi të vetëdeklarohet rreth aktakuzës. Gjykatësja Marjorie Masselot tha se më vonë do të lëshojë një vendim për këtë çështje.

Gjatë paraqitjes së parë, që zgjati pothuajse 45 minuta, Thaçi tha se ai, familja e tij dhe shoqëria kosovare presin përfundimin e procesit ndaj tij dhe tha se pret drejtësi.

Gjykatësja Marjorie Masselot vendosi që Thaçi të qëndronte në qendrën e paraburgimit – ku gjendet tash e katër vjet për shkak të rastit tjetër kundër tij – pavarësisht se avokatja mbrojtëse, Nina Tavakoli, tha se nuk ka rrezik që klienti i tij të arratiset.

Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuzë e re, e cila është bërë publike më 6 dhjetor.

Në nisje të seancës, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, bëri përmbledhjen e rastit kundër pesë të akuzuarve dhe ai lexoi të drejtat Thaçit. Ndërkaq, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar u lexuan akuzat që rëndojnë ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë.

Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.

Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 5 dhjetor, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu u arrestuan dhe një ditë më pas u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndërkaq, ndaj Kuçit gjykata ka lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Kuçi do të bëjë paraqitjen e parë para gjykatës më 9 dhjetor. Po atë ditë, paraqitjen e parë do ta bëjë edhe Isni Kilaj. Ai ishte paraparë të paraqitej të dielën, por mbrojtja e tij ka kërkuar që seanca të shtyhet për një ditë.

Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.

Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë./REL