Çështjen e korrigjimit të kufijve, presidenti kosovar Hashim Thaçi shprehet se po e negocion duke u këshilluar me partnerët ndërkombëtarë. Ndaj dhe në një shkrim të gjatë të publikuar në Facebook për këtë çështje, Thaçi kërkon mbështetje popullore.

Hashim Thaçi, president i Kosovës:

Qytetarët tanë duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre nëpërmjet referendumit. Ata duhet të zgjedhin se a janë për marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila Kosovës i siguron anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, apo duan të jetojnë në hasmëri me shtetet fqinje dhe të izoluar. Unë e di që ata do të zgjedhin opsionin e parë, prandaj edhe po punoj në koordinim të ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtarë, që paqja me fqinjë dhe integrimi të jenë zgjedhja e duhur.

Marrëveshja që po synohet të arrihet, sipas Thaçit do të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale që garanton integritetin territorial të vendit. Presidenti shprehet se partnerët ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Anglia janë më të angazhuar se kurrë më parë për të ndihmuar Kosovën, në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare dhe paqësore me Serbinë.

Nga ana tjetër Thaçi sulmon opozitën kosovare duke e akuzuar se po vë në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-ve dhe aleatëve kryesorë. Sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i garantuar nga Kushtetuta jonë dhe jo nga deklaratat emocionale të atyre që as nuk e kanë idenë sesi është fituar liria dhe pavarësia e jonë, shkruan Thaçi.

Këtë të mërkurë partitë opozitare në Kosovë dorëzuan kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme me 4 shtator, ku do të hidhet në votim rezoluta që ia ndalon presidentit Thaçi bisedimin për rishikim apo shkëmbim territoresh me Serbinë.

Një ditë më parë kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh kundër propozimeve për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi ky rast mund të shërbente si precedent për të tjera ndryshime territoriale në Ballkan.

Tv Klan