Armand Assante (që ka luajtur dhe te filmi “Gotti”) e Louis Mandylor që luan te “Martesa Ime Greke”, janë 2 nga aktorët e Hollivudit që janë bashkuar me 3 nga aktorët më të mëdhenj rusë (Ravshana Kurkova, Yuriu Kutsenko dhe Ivan Makarevich), si dhe aktorët e njohur shqiptarë, Bes Kallaku, Vin Bejleri dhe Mensur Safqiu, në një film për Lazaratin.
Edhe pse producentët e filmit Mark Crawford, Chad Pittman dhe Issa Zaraui thonë se filmi vetëm është frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit, në film ka plot referenca të situatave që kanë ndodhur në atë fshat dhe pamjet e filmit të krijojnë idenë që bëhet fjalë pikërisht për krye-qendrën e mbretërisë shqiptare të drogës.
Në qendër të filmit është Rei, një djalë që ka humbur prindërit gjatë trazirave të 97-s, që tashmë është pjesë e një skuadre elitë RENEA, që ka për detyrë të përpiqet për të lokalizuar e arrestuar individët që drejtojnë trafikun e drogës nga fshati, duke synuar së pari që të shkatërrojë bizneset e tyre të pista. Regjisori William Kaufman dhe skenaristi i filmit Marco Balsamo janë amerikanë, dhe “para se të ndërtonin ngjarjen kanë shëtitur Shqipërinë dhe kanë vizituar madje edhe Lazaratin”, sipas fjalëve të producentit Mark Crawford. William Kaufman njihet për një seri filmash aksion ku ka patur edhe aktorë të mëdhenj amerikanë si fituesi i çmimit OSCAR, Cuba Gooding Jr. apo i famshmi Dolf Lundgreen.
Por, në këtë film, “Kaufman ka tejkaluar vetveten”, thotë bashkë-producenti shqiptar KoloretoCukali, sipas të cilit “ky është i pari film aksion me standarde hollivudiane ku Shqipëria shfaqet me të mirat e të këqijat e veta. Qëllimi i filmit ka qenë të sjellim Shqipërinë e vërtetë, me problemet e veta si prostitucioni e droga, por dhe me heronjtë e vet.” Ky film, do t’i tregojë botës, sipas Cukalit, që ka një Shqipëri të mirë, dhe shqiptarët nuk janë të gjithë siç portretizohen tek filmi Taken. Edhe regjisori Kaufman, që e pa Shqipërinë për herë të parë kur erdhi për të realizuar këtë film, u shpreh që ky vend është aq i bukur e njerëzit aq të mrekullueshëm sa është e padrejtë portretizimi që i bëhet vendit në mediat e huaja. Le të shpresojmëqë ky film do të ndryshojë këtë perceptim, u shpreh Kaufman në një prononcim nga Amerika.
Premiera botërore e filmi u zhvillua të enjten në Tiranë, prezantuar nga Digitalb, kompania që ka mbështetur filmin që në fillimet e veta. Filmi do të ketë distribucion ndërkombëtar, me fokus Rusinë dhe Ballkanin, ndërkohë që ka siguruar edhe shitje botërore televizive. “The Brave”, po shfaqet njëkohësisht në Tiranë e Prishtinë, në të tëra kinematë e këtyre 2 qyteteve.