Fitorja ndaj Komos shënoi një tjetër faqe në historinë e Milanit. Theo Hernandez u bë mbrojtësi që realizon më shumë me fanellën kuqezi, diçka që e bën pas 6 sezoneve.
Në moshën 27-vjeçare francezi ka forcuar statusin e tij për të qënë tepër vendimtar në fushën e lojës. Hernandez arriti në 30 gola për Milanin në Serie A, për të parakaluar në këtë renditje speciale ikonën e klubit, Paolo Maldini.
Në total, francezi ka shënuar 33 herë për italianët, teksa ka fituar 2 tituj kampion, kampionatin e vitit 2022 dhe Superkupën italiane të këtij sezoni.
Nën urdhërat e teknikut Paulo Fonseca ai u përball me kritika të ashpra dhe masa disiplinore, diçka që u reflektua edhe në fushën e lojës. Ndërkaq, me ardhjen e teknikut portugez, Serxho Konseisao, francezi ka rilindur, duke luajtur plot 90 minuta në katër ndeshjet e fundit të Milanit.
Me këtë gol rekord, Theo Hernández vazhdon të dëshmojë vlerën e tij si një figurë kyçe në projektin e Milanit dhe lë gjurmë të pashlyeshme në një nga klubet më të njohura të futbollit. Rekord i arritur pas 181 ndeshjeve në kampionatin italian për një mesatare prej thuajse 1 goli në çdo 6 ndeshje.
Klan News